Bashkësia Shqiptare IKRA-Siegen e.V.

Islami

Kushtet e Imanit

Besimi islam përbëhet prej gjashtë të vërtetave kryesore të fesë. Gjashtë të vërtetat e fesë janë; “Amentu bil-Lahi, ve melaiketihi, ve kutubihi, ve rusulihi, vel-jevmil-ahiri, ve bil-kaderi hajrihi ve sherr-rrihi minall-Llahi teala”. e kjo do thotë: “Unë besoj All-llahun, meleqtë (engjëjt) e Tij, kitabet (librat) e Tij, pejgamberët (të dërguarit) e Tij, Ditën e Kijametit (ditën e fundit – Ditën e Gjykimit) dhe gjithçka që ndodh, bëhet me caktimin e All-llahut”.

Gjashtë të vërtetat e fesë duhet besuar në mënyrë të patundur dhe duhet ditur përmendsh. Pa i besuar këto gjashtë të vërtetat kryesore të fesë, kurrkush nuk mund të jetë musliman. Të vërtetat kryesore të fesë quhen – SHARTET E IMANIT (kushtet për të qenë musliman ose muslimane).

Qenia më e përsosur në natyrë është njeriu. Është i krijuar prej trupit dhe shpirtit e i shpërblyer me të menduarit dhe besimin. Është i lidhur me natyrën nëpërmjet pesë shqisave. Njeriu dallohet nga qeniet tjera të gjalla në këto pikëpamje: mendon dhe gjykon, arrin dituri dhe flet.
Gjithçka që na rrethon në tokë e në qiell, shohim se është rregulluar shumë bukur. Gjithçka lëviz dhe zhvillohet në një rregull dhe harmoni të plotë dhe saktësisht të përsosur. Rastësisht kurrgjë nuk ka. Duke menduar mbi këtë rregull në natyrë, jemi të shtyrë që të bindemi se ekziston dikush që e sundon tërë botën. Ai pra është Zoti i Madhërueshëm.
Gjithçka që jeton, e ka të lindur aftësinë për të kryer detyrën e vet, për t’i shërbyer një qëllimi të caktuar dhe për të vepruar për ekzistencën e vet. Zogu, i cili posa ka dalë nga veja, menjëherë fillon ta ushqejë veten me kokrra drithërash, zogjtë e shpendëve hapin sqepin e tyre që t’ua hedh e ëma ushqimin, edhe këlyshët e maces me sy të mbyllur e gjejnë dhe i thithin qumështin e nënës. Secila krijesë ka shenja dhe veti me të cilat dallohet nga të tjerat. Asnjë gjethe, asnjë lule nuk është plotësisht e ngjashme me tjetrën. Të gjitha fytyrat e njerëzimit duken të ngjashme, por në kurrgjë s’janë krejtësisht të njëjta.
Studimi i natyrës dhe i dukurive të saj na jep për të kuptuar se ka Krijues, i cili gjithçka di dhe gjithçka mundet. Ai Krijues është All-llahu xhel-le-shanuhu.
Për të kuptuar Qenien e të Lartit Zot (dhatuhu teala), mendja e njeriut është e kufizuar. Ne e besojmë dhe e njohim All-llahun me anë të cilësive të Tij (sifateve).

Toka në të cilën jetojmë, është e mbështjellë me ajër deri në një lartësi të caktuar. Këtë ajër ne nuk e shohim, por e thithim dhe e nxjerrim jashtë. Mbi një lartësi të caktuar është një hapësirë pa ajër. Për këtë hapësirë pa ajër, njerëzit tash për tash, shumë pak dinë. Feja ne na mëson se në hapësirë dhe rreth nesh jetojnë engjëjt.
Engjëjt janë krijesa të All-llahut xh.sh. që nuk duken. Ata kurrë nuk gabojnë, por me bindje dhe kënaqësi i kryejnë detyrat e veta, të cilat ua caktoi All-llahu xh.sh.
Engjëjt e përcjellin njeriun, i sjellin mendime të mira dhe i shenojnë veprat e tij. Engjëj ka shumë, por më të njohur janë: Xhebraili, Azraili, Israfili, Mikaili, Kirâmen – Kâtibin, Munkiri dhe Nekiri.
Aparati i radios dhe ai televiziv na dëshmojnë se çdo fjalë dhe çdo vepër jona mund të incizohet, pa e parë ne dhe pa e ndier. Të gjitha këto vërtetojnë besimin tonë në engjëjt e Zotit.
Engjëjt, Kirâmen Kâtibin shkruajnë veprat tona për të cilat në Ditën e Gjykimit kemi për të dhënë llogari.
Qeniet e padukshme të cilat sjellin mendime të këqija quhen shejtanë (djaj). Ata janë armiqtë tanë. Kur e shprehim “Eudhubil-lahin”, lusim All-llahun xh.sh. që të na ruajë nga djalli i mallkuar.
“Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim”, – “I mbështetem All-llahut nga djalli i mallkuar”.

Librat (Kitabet) e Zotit janë shpalljet e Zotit të cilat ua treguan njerëzimit të dërguarit e Zotit. Këto shpallje i solli prej Zotit engjëlli, Xhebraili.
Shpalljet e Zotit përmbajnë udhëzime, këshilla, lutje dhe rregulla e dispozita mbi jetën e njerëzimit.
Neve na janë të njohura katër kitabe të më- dha: Tevrati, Zeburi, Inxhili e Kur’ani si edhe suhufet (përmbledhje me të vogla udhëzimesh).

KUR’ANI
Kur’ani është libri i shenjtë, të cilin All-llahu i lartëmadhëruar me anë të Xhebrailit ia shpalli Të Dërguarit të vet, Muhammedit alejhisselam.
Kur’ani është shpallur në gjuhën arabe. Përbëhet prej 114 sureve (kaptinave) dhe 6.666 ajeteve (versete). Shpallja e Kur’anit ka zgjatur njëzet e tre, vjet dhe ato: trembëdhjetë vjet në qytetin Mekke, e dhjetë vjet në qytetin Medine. Kur’ani është tubuar në një koleksion i cili quhet Mus’haf.
Kur’ani është ligji dhe prijësi më i mirë në jetë. Ai ne na mëson se ç’duhet të bëjmë dhe si të sillemi ndaj njëri-tjetrit. Muslimanët duhet ta lexojnë (mësojnë), studiojnë dhe shqyrtojnë Kur’anin. Secili musliman duhet të dijë përmendsh kaptinën e parë (Fatihan) e të paktën edhe dy kaptina më të shkurtra (Inna ea’tajna dhe Kul huvall-llahu-n).Personi, i cili e di tërë Kur’anin përmendsh, quhet hafiz.

Të Dërguarit e Zotit janë njerëz të zgjedhur – pejgamberë, të cilëve u çoi shpalljen e vet All-llahu xh.sh., për t’ua transmetuar e shpjeguar ata njerëzimit. Të Dërguar të All-llahut ka pasur shumë, e në Kur’an janë të përmendur njëzet e tetë. Ndër pejgamberët më të njohur janë:Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi alejhimusselam.
Të gjithë të dërguarit kanë patur këto cilësi (sifate): gjithnjë e kanë thënë të vërtetën (sidk), kanë qenë me përpikëri të besueshëm (emanet), Shpalljen e All-llahut xh.sh. e kanë transmetuar dhe shpjeguar saktësisht dhe në tërësi (teblig), kanë qenë shumë të zgjuar e të mençur (fetanet) dhe kurrë s’kanë gabuar (ismet).
I dërguari i parë është Ademi a.s. Ai është edhe njeriu i parë në tokë. All-llahu xh.sh. e krijoi Ademin dhe bashkëshorten e tij, Havën dhe prej tyre ka zanafillën origjina e njerëzimit. Nuk është e njohur se kur është krijuar njeriu i parë. I dërguari i fundit është Muhammedi a.s.
Kur të përmendet emri i njohur I Dërguari i Zotit, duhet thënë: “alejhisselam”. (- Paqja e All- llahut qoftë mbi të). E kjo shkurtimisht shkruhet: “a.s.”

Bota në të cilën jemi duke jetuar tash, quhet Dunja. Kjo s’ka qenë gjithmonë, por është krijuar, prandaj e ka edhe skajin e vet të mbarimit. All-llahu i gjithfuqishëm përveç kësaj bote kalimtare ka krijuar edhe një botë tjetër, e cila quhet Ahiret. Në Ahiret do të jetojmë pas mbarimit të jetës në këtë botë.
Vdekja s’është mbarim i jetës, por ndryshim i mënyrës së të jetuarit, ashtu që shpirti e vazhdon jetën nën kushte tjera. Kur nuk do të ekzistojë njerëzimi dhe nuk do të ketë më jetë në këtë botë, All-llahu fuqiplotë një ditë do të ringjallë gjithçka dhe tërë njerëzimi do të tubohen para Tij në Ditën e Gjykimit. Të gjitha veprat e bëra, të cilat i kanë shkruar engjëjt, Kiramen Katibin, do t’i paraqiten secilit njeri dhe ai ka për të dhënë llogari për to (Sual dhe Hisab).
Veprat e njerëzve do të vihen në një peshojë – Mizan – të saktë dhe të përsosur. Te ai që rëndojnë më tepër veprat e mira, do të shpërblehet me Xhennet (parajsë), e tek ai që rëndojnë më tepër veprat e këqija, do të dënohet me Xhehenem (ferr). Pejgamberët dhe njerëzit tjerë të mirë (evlija) do të kenë të drejtë ndërmjetësimi (shefaati), për t’u bërë fjalëmirë për gabimtarët.
Xhenneti është një vend në Ahiret ku besimtarët përgjithmonë gëzojnë kënaqësi, sipas shkallës së shpërblimit të fituar. Xhehenemi është vend ku gabimtarët do t’i vuajnë dënimet e tyre sipas peshës së gabimit të bërë.
Se kur do të jetë Dita e Gjykimit, nuk di tjetërkush përveç All-llahut xh.sh.

All-llahu xh.sh. është Sundues i pakufishëm në tërë botën. Gjithçka që ekziston, i nënshtrohet vullnetit, diturisë dhe fuqisë së Tij. Gjithçka që ngjan, ndodh sipas caktimit të Zotit. All-llahu xh.sh. është i kënaqur me veprat tona të mira, e nuk është i kënaqur me veprat e këqija. Vetëm me vepra të mira mund të mbërrihet kënaqësia dhe dashuria e Zotit.
Çdo vepër të njeriut, para se të ndodhë ajo, All-llahu xh.sh. e di këtë. Njeriu kryen vepra me vullnetin e vet të lirë, por vullneti i lirë i tij është i kufizuar, sepse nuk mund të dalë jashtë rregullës që All-llahu xh.sh. e ka ditur përpara.
Në jetën e vet njeriu duhet të ndjekë rrugën e fesë dhe të arsyes e të mendjes. Nëse neve na ndodh diçka e pakëndshme ose fatkeqësi, duhet të përpiqemi që ta evitojmë atë, e nëse nuk mund ta bëjmë, atëherë duhet të kemi durim dhe në asnjë moment të mos e humbasim shpresën se ajo pakënaqësi do të pushojë një ditë. Vetëm All-llahu xh.sh. e di se ç’është mirë për dikë, në çka është e mira dhe kur është më e dobishme ndonjë e mirë.
Shpeshherë ndodh që njeriu s’e do atë që është e mirë për të. Ose anasjelltas: e do atë që nuk është e mirë për të, ngase dituria e tij është e kufizuar. Ai nuk e di rrjedhimin përfundimtar të asaj gjëje në përgjithësi.
Angazhimi i vetëdijshëm në realizimin e detyrave jetësore brenda kufijve të dispozitave të fesë, është kada dhe kader (besim në caktimin e All-llahut).
Momenti i vdekjes është i caktuar, por ai për ne është i panjohur. Prandaj ne jemi të detyruar që ta ruajmë dhe ta mbrojmë jetën dhe fenë dhe për to gjithnjë të kujdesemi. Të punojmë sikur që kemi për të jetuar përgjithmonë, e t’i lutemi All-llahut xh.sh. sikur nesër kemi për
të vdekur.

Kushtet e Islamit

Kushti i parë islam është: DËSHMIA ISLAME – Kelimei – Shehadeti

Namazi është ibadet islam që kryhet duke u falur dhe duke lexuar.
Namaze janë pesë: Sabahu, Dreka, Ikindia, Akshami dhe Jacija. Secili namaz falet në kohën e vet (të mëngjesit, mesditës, pasditës, mbrëmjes dhe natës).
Namazi përbëhet prej gjashtë pjesëve. Ato pjesë janë: tekbiri fillestar, qëndrimi në këmbë, leximi i Kur’anit, përkulja, lëshimi i fytyrës në tokë (sexhdeja) dhe ulja. Këto gjashtë pjesë përbëjnë formën e namazit.
Të qëndruarit në këmbë, përkulja, rënia në sexhde dhe të ndenjurit ulur janë punë trupore dhe duhet të mësohen duke ushtruar (me ushtrime). Një qëndrim në këmbë, një përkulje dhe dy sexhde përbëjnë një rekaate të namazit.

Muaji në të cilin agjërohet është Ramazani. Të agjërosh Ramazanin do të thotë të ruhesh nga të ngrënit, pirja, thithja e duhanit dhe marrëdhëniet seksuale dhe këtë duke filluar prej para agimit e derisa të perëndojë dielli. Qëllimi i agjërimit është për të treguar besnikërinë dhe përkushtimin ndaj All-llahut xh.sh. Çdo i rritur e i shëndoshë, musliman e muslimane është i obliguar të agjërojë. Para se të fillohet agjërimi duhet bërë nijjet (vendosja) për të agjëruar. Mjafton të vendoset me zemër, por mundet edhe me fjalë, duke u shprehur kështu: “Unë vendosa, në emër të All-llahut, të agjëroj nesër Ramazanin”. Nëse kemi agjëruar, vendosja – nijjeti – mund të bëhet deri paradreke.
Ramazani është muaj lutjesh, mirëbëriesh dhe ringjallje feje. Nëpër xhami lexohet dhe shpjegohet Kur’ani, e nëpër shtëpi ndihmohen të varfrit, vizitohen dhe u bëhet pritje farefisit, fqinjve, dashamirëve dhe miqve.
Gjatë muajit të Ramazanit falen teravihtë natën.
Sahur – syfyr – është koha para fillimit të agjërimit dhe në këtë kohë zakonisht hahet. Imsak quhet momenti i fillimit të agjërimit, e iftar është momenti kur duhet të ndërpritet agjërimi. Fillimi i agjërimit bëhet duke larë gojën dhe duke pirë ujë, andaj, duke shprehur vendosjen për agjërim, kurse mbarimi – iftari me Bismil-lah të pihet ujë. Në iftar s’duhet të hahet shumë, e në syfyr po.
Agjërimi është shumë i dobishëm si për shpirt ashtu edhe për trup. Me agjërim forcohet dëshira dhe disiplina, e zbatohet edhe vepra e obligueshme vjetore.
Gjatë agjërimit duhet të ruhemi nga të gjitha veprat e këqija, e aq më tepër edhe nga të folurit e panevojshëm. I sëmuri, udhëtari, ushtari, punëtori në punë jashtëzakonisht të rëndë, nëna gjidhënëse, etj. mund të mos agjërojnë Ramazanin, në qoftë se agjërimi u dëmton shëndetin, por janë të detyruar t’i agjërojnë të gjitha ditët e lëshuara, posa t’u vijë rasti e t’u jepet mundësia. Plaku, plaka e mbetur, i sëmuri, për të cilët s’ka shpresë përmirësimi të shëndetit, s’janë të detyruar të agjërojnë, por për çdo ditë duhet të japin fidje (sadaka e blerë) në sasi të sadakai fitrit, në qoftë se kanë pasuri.
Agjërimi është i prishur nëse diçka hamë, pimë, ndezim duhan etj.
Agjërimi s’është i prishur nëse këto bëhen me harresë. Në qoftë se me dashje e prishim agjërimin, duhet pasandej të agjërohet ajo ditë dhe përveç saj edhe gjashtëdhjetë ditë rresht duhet agjëruar (kefaret).
Njeriu i cili nuk agjëron gjatë Ramazanit, është gabimtar dhe duhet të gjitha ato ditë më vonë t’i agjërojë.

Enhance user experience with Advanced Tabs, allowing seamless content navigation. Organize information efficiently while keeping the interface clean and interactive. Perfect for FAQs, product details, or multi-section content.

Enhance user experience with Advanced Tabs, allowing seamless content navigation. Organize information efficiently while keeping the interface clean and interactive. Perfect for FAQs, product details, or multi-section content.

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com
Scroll to Top