Bashkësia Shqiptare IKRA-Siegen e.V.

Rregullat e agjërimit

Rregullat kryesore të agjërimit të Ramazanit (me shtojcat përkatëse)

Së pari: Domethënia e agjërimit.
“Agjërimi është lënia e ushqimeve, pijeve dhe marrëdhënieve seksuale, nga momenti i agimit të ditës deri në perëndim të diellit, që ka për qëllim adhurimin e Allahut.” Qëllimi i vetëm i agjërimit islam është fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe përfitimet e tij fiziko-shpirtërore janë të panumërta.

Së dyti: Personi që duhet të agjërojë.
Obligohet që të agjërojë Ramazanin plotësuesi i karakteristikave në vijim:

  1. Muslimani. (Jomuslimani, nëse bëhet musliman në Ramazan, agjëron ditët që zë prej tij.)
  2. I rrituri (që ka arritur moshën e pjekurisë seksuale) dhe i arsyeshmi (që nuk është i çmendur). (Fëmija nuk obligohet të agjërojë por është shumë mirë që mbi 7 vjeç të ushtrohet të agjërojë.)
  3. I afti fizikisht për të agjëruar. (I sëmuri rëndë me sëmundje të pashërueshme, nuk agjëron por jep *kefara (shlyen agjërimin), ndërsa i sëmuri rëndë me sëmundje të shërueshme i agjëron para Ramazanit të ardhshëm ditët e paagjëruara. I thyeri në moshë (i/e vjetri/a), nëse dëmtohet nga agjërimi, nuk agjëron por jep *kefara. I shtrënguari të bëjë punë të rëndë në Ramazan, vendos të agjërojë para se të agojë dita dhe nëse puna e rëndë gjatë agjërimit e bën të bjerë në zanafillat e gjendjes kritike e çel atë ditë agjërimi dhe e agjëron më vonë.)
    Shënim: *Kefara (shlyerja e agjërimit) është që për çdo ditë të paagjëruar të Ramazanit, t’i jepet të varfrit e pakta 750 gr dhe më e mira 1.5 kg oriz a ngjashëm nga ushqimet bazë të vendit, ose 1 vakt ushqimi që e ngop të varfrin.
  4. E paprekura nga gjërat që pengojnë agjërimin. (Gruaja të cilës i vijnë menstruacionet ose që është lehone gjatë ditës së agjërimit, nuk lejohet të agjërojë, por nëse pastrohet para agimit ajo vijon agjërimin dhe lahet pas agimit.)
  5. Vendasi (në vendbanimin e tij). (Atij/asaj që udhëton mbi 80 km dhe qëndron në rrethana udhëtari deri në katër ditë, i lejohet të mos agjërojë dhe ditët e paagjëruara i agjëron para Ramazanit të ardhshëm.)

Së treti: Shtyllat e agjërimit

  1. Shtylla e parë: Koha e agjërimit
    (a) Koha mujore e agjërimit të Ramazanit llogaritet:
    (1) shikohet hëna e re e Ramazanit në perëndim të ditës 29 Shaban;
    (2) Nëse hëna e re nuk shihet, Ramazani fillon automatikisht pas perëndimit të ditës 30 Shaban;
    (b) Koha ditore: Nga agimi (hyrja e sabahut) deri në perëndim (hyrja e akshamit).
  2. Shtylla e dytë: Mënjanimi i *prishësve të agjërimit.
    (1) Ngrënia a pirja e lëndëve ushqyese ose joushqyese dhe kapërdirja e ushqimit të mbetur nëpër dhëmbë, me dashje;
    (2) Raportet seksuale ditën në agjërim dhe ejakulimi (bërja xhunub) me dashje; (3) Menstruacionet dhe lehonia;
    (4) Vjellja me dashje;
    (5) Pirja e duhanit
    (6) Hapet (ilaçet me kokrra) dhe injeksionet ushqyese (serumet).
    Shënim: *Prishësit bazë të agjërimit janë: së pari: marrëdhëniet seksuale, së dyti: lëndët specifike shkarkuese (dalëse) trupore dhe së treti: lëndët hyrëse (në veçanti ato ushqyese) në bark (stomak).
  3. Shtylla e tretë: Nijeti (Qëllimi).
    Nijeti (qëllim i agjërimit) të Ramazanit bëhet që natën e parë të Ramazanit për të gjithë muajin, por më mirë është që nijeti të bëhet për agjërimin e çdo dite të Ramazanit më vete. Që nijeti të jetë i saktë, mjafton që personi ta ketë në mend se të nesërmen do agjërojë Ramazanin. Nijeti duhet të përsëritet sa herë që ndërpritet agjërimi.

Së katërti: Gjëra që nuk e prishin agjërimin:

  • Ngrënia dhe pirja nga harresa, ose me mendimin: se s‘ka gdhirë apo se dielli ka perënduar.
  • Vjellja pa dashje, kapërdirja e ujit pa dashje gjatë abdesit dhe kapërdirja e pështymës a gëlbazës përbrenda gojës.
  • Përdorimi i misvakut dhe furçes së dhëmbëve me kusht që të mos kapërdihen përbërësit e tyre lëndorë.
  • Parfumi, si dhe pluhurat, erërat, aromat dhe tymi ekzistues i duhanit, nga të cilat njeriu s‘mund të ruhet.
  • Pompa (sprucuesja) e gazit për azmatikët dhe gargara a shfryrja e hundës gjatë abdesit, pa kapërdirë ujin.
  • Heqja/mbushja e dhëmbëve, kurimi i plagëve, dhënia e gjakut në çdo sasi, hixhamja, dializa jo ushqyese, injeksionet jo ushqyese (penicilina, insulina, vaksina etj.) në lëkurë, muskul a vena, sondat e zorrëve a stomakut, lavazhi i kanalit urinar dhe lëndët që hyjnë nga ai dhe lavazhi i anusit dhe lëndët jo ushqyese që hyjnë nga ai.
  • Ilaçet me pika nga veshët, sytë, goja a hunda dhe hapet nën gjuhë, nëse lëndët e tyre nuk e kalojnë gurmazin.
  • Qëndrimi në ambiente të kondecionuara, larja tërësore ose e pjesshme e gjymtyrëve të trupit pa e kapërdirë ujin.
  • Ejakulimi ditën në ëndërr. (I bëri xhunub natën, i cili gdhihet pa u larë, e vijon agjërimin dhe lahet pas agimit.)
    Gjithashtu:
  • Rekomandohet vonimi i syfyrit (ngrënies) deri në kufi të agimit dhe shpejtimi i iftarit (ushqimit) sapo të perëndoj dielli. Iftari më i mirë janë hurmat, pastaj uji dhe pastaj çdo ushqim dhe pije e lejuar.
  • Agjëruesi që s’ka me se ta çel agjërimin, nuk e thith gishtin etj., por e bën nijetin e çeljes së agjërimit me zemër.
  • Agjëruesi lejohet ta prish agjërimin për domosdoshmëri si shpëtimi i të mbyturit etj. dhe e kompenson më vonë.
  • Muslimani krahas obligimit të agjërimit, gjatë Ramazanit i kryen të gjitha obligimet e tjera të Islamit, sidomos pesë vaktet e faljes së namazit në kohën dhe formën e caktuar dhe po kështu e frenon veten nga haramet.
  • Gruaja shtatzënë apo mëkuese lejohet të mos agjërojë nëse ka frikë të sigurt për shëndetin e vet apo të foshnjës.
  • Femra me istihada (hemorragji tjetër veç menstruacioneve dhe lehonisë) duhet të agjërojë. (E tilla nuk agjëron nëse hemorragjia është në atë nivel që ajo e ka të sigurt se me këtë hemorragji agjërimi do ta mundojë shumë.)

Përgatiti: Hoxhë Altin Torba

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com
Scroll to Top