Urimi Ramazan 2025
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,
Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit ju uroj agjërim të lehtë dhe adhurime të vlerësuara e të pranuara. Si çdo vit, Allahu i madhëruar na bekon me mirësinë e Tij hyjnore, muajin e begatë të Ramazanit, i cili jo vetëm që është i rëndësishëm por dhe i bekuar pasi në këtë muaj u shpall libri hyjnor i Zotit të botrave, duke na rikujtuar me ligjin hyjnor “Nëse falenderoni, Unë jua shtoj mirësitë”, që njeriu të kuptojë, meditojë, reflektojë dhe të realizojë në mënyrën më të mirë qëllimin e prezencës së tij në këtë botë të përkohshme duke qenë sa më i lumtur.
Motoja e Ramazanit 2025 u shpall për këtë vit në kuadër të UIAZD-së: Ramazani, muaji i Mirënjohjes duke pasur parasysh rrjedhën e shumë ngjarjeve të mëdha nëpër botë, duke e bërë jo vetëm botën ndryshe por edhe qëndrimin e muslimanëve.
Për këtë, na fton Zoti ynë në shumë ajete Kuranore që besimtarët të jenë mirënjohës për mirësitë e Tij të pafundme si Besimi, Shëndeti, Familja, Siguria etj që besimtarët ta shfrytëzojnë çdo adhurim dhe në veçanti leximin e Kuranit dhe reflektimin në Ramazan që të bëhen më shumë mirënjohës për begatitë që posedojnë.
Unë nuk mund të gjej urim më të mirë sesa ai i Zotit, kur thotë në hadithin kudsij: “Çdo punë që bën njeriu e bën për vehten e vet përveç AGJËRIMIT. Atë e bën për Mua dhe Unë vetë do t’ia shpërblej.”
O Zoti ynë, na e mundëso që të përjetojmë të gjitha të mirat që sjell ky musafir i madh i njerëzimit! O Zoti Ynë, bëje këtë Ramazan, pastrim për gjynahet tona, reformë për zemrat dhe vetet tona, zgjidhje e problemeve tona! Amin!
Me respekt:
Mensur ef. Halili
Düsseldorf 27.02.2025