Bashkësia Shqiptare IKRA-Siegen e.V.

URIMI I KRYETARIT Z. SKENDER BRUÇAJ PËR FITËR BAJRAM

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, kudo që ndodheni!

Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet, lutjet dhe sakrificën tonë.

Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë.

Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita për të gëzuar fëmijët me dhurata dhe përkëdhelje, është dita për të respektuar të moshuarit me mirënjohje dhe dashuri, është dita për t’u gjendur pranë të gjithë atyre njerëzve që presin interesimin dhe vëmendjen tonë.

Bajrami është dita kur mëritë, hatërmbetjet, dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e unitetit shpirtëror që pasqyron ripërtëritjen e vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë si ditën e gëzimit të zemrave.

Në këtë ditë Bajrami, të gjithë ne do të përdorim të drejtën e votës dhe nuk duhet të harrojmë në asnjë moment që të gjithë jemi vëllezër dhe pavarësisht rezultateve, Shqipërinë e kemi bashkë, pa dallime politike e fetare dhe përgjegjësia për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit bie mbi të gjithë ne.

Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij për më shumë paqe, gëzim e harmoni.

I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.

O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi dhe stabilitet shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të, mbarë njerëzimit.

Gëzuar Fitër Bajramin dhe Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.

Amin!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com
Scroll to Top