Bashkësia Shqiptare IKRA-Siegen e.V.

Urimi i Myftiu të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër – Bajramit

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Sonte, në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje e devotshmëri, kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam – agjërimin e muajit Ramazan.

Agjërimi i muajit Ramazan është ibadet të cilin besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, për ta arritur kënaqësinë e Tij, dhe i bindur se Ai do ta shpërblejë atë në Ahiret.

Gjatë muajit Ramazan, besimtarët përveç që shprehën përkushtimin ndaj Krijuesit, duhet përmendur se agjërimi i bëri ata, por edhe komunitetin e shoqërinë, më të ndjeshëm, më solidarë, më humanë e më social.

Nimetet dhe begatitë e agjërimit me të cilat Zoti xh.sh. i furnizoi besimtarët ishin të mëdha e të shumta.

Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis.

Vëllezër e motra!

Ramazanin po e përcjellim të lumtur që Krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër, krenarë e faqebardhë, me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani, dhe si i tillë përveç që kemi kryer një urdhër të Zotit, jemi të sigurt se nga ky muaj do të dalim më të dëlirë, më humanë, më të afërt me njëri-tjetrin, më solidarë e më të fisnikëruar.

Nimetet, mësimet e porositë e muajit të bekuar Ramazan, duhet të na shoqërojnë edhe në muajt e tjerë, e para prej tyre është kujdesi ndaj familjes, ruajtjes së saj, si dhe rritës dhe edukimit të drejtë të saj. Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë, është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike.

Familja te populli ynë, në vazhdimësi ka qenë institucioni më i vlerësuar e më i çmuar, vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi edhe te brezat e rinj. Atakimi i vlerave mbi të cilat është ngritur familja te ne, nuk është në të mirën tonë dhe të popullit tonë. Po ashtu, e kemi obligim që ta ruajmë e ta ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai.

Ka dashtë Zoti që tash e sa vite vendi ynë është i lirë e i pavarur, mirëpo është obligim yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku sigurojmë vende pune e jetesë të dinjitetshme.

Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit , tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet.

Vëllezër dhe motra!

Në këtë natë të madhe, në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe e harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë.

Duke ju uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona festa e Fitër Bajramit të na sjell ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi.

Agjërim, lutje e ibadete të pranuara!

Me fat festa e Fitër Bajramit!

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Prishtinë, 20 prill 2023

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com
Scroll to Top