Të nderuar besimtarë,
vëllezër dhe motra!
Po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin më të veçantë, muajin e Kuranit fisnik, muajin e edukimit dhe humanizmit, muajin në të cilin në mënyrë kolektive shprehëm besimin në Zot dhe përkushtimin ndaj fesë Islame duke agjëruar, ndihmuar, falur, lutur, lexuar Kuran, andaj, nëse çdo natë, kur bënim iftar, e falënderonim Allahun për agjërimin e asaj dite, për shuarjen e etjes dhe urisë, sot, në këtë ditë të fundit të Ramazanit, e falënderojmë Allahun xh.sh., për mundësinë që na dha që ta plotësojmë këtë obligim ndaj Tij. Kështu na mëson Allahu në Kur’an:
“…Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” [Bekare: 185].
Të dashur besimtarë!
Festat janë pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Secili popull ka pasur dhe ka festat e veta, por edhe motivet pse feston. Edhe ne, myslimanët, natyrisht kemi festat tona dhe motivet pse festojmë. Nëse ndalemi dhe meditojmë për pak çaste pse festa vjen pas një muaji agjërim, lehtë mund ta kuptojmë motivin e saj. Suksesi i besimtarit në fushën e adhurimit dhe fitorja e tij përballë vetive të liga, janë motivi pse ai sot feston. Festa është ceremonia e certifikimit në një kurs adhurimi e edukimi njëmujor andaj nuk ka si të kalojë pa u festuar.
Festat janë ditë të dalluara për shkak të domethënieve që bartin, mesazheve që përçojnë dhe vlerave që kultivojnë. Nuk janë rrobat dhe ushqimet ato që bëjnë dallimin në festë dhe që i japin kuptim asaj, por janë vlerat dhe mësimet që e karakterizojnë atë. Nisur nga kjo perspektivë, festat janë momente reflektimi, vetëdijesimi e lartësimi shpirtëror. Zhveshja e festave nga qëllimet, i tkurr ato në manifestime që nuk kanë kuptim. Festat fetare Islame janë moment për të konfirmuar ekzistencën tonë shpirtërore, është momenti i kujtimit të përgjegjësisë shoqërore.
Të respektuar vëllezër e motra!
Me gjithë bollëkun, shoqëria njerëzore çdoherë e më shumë po tkurret brenda vetvetes: më pak mëshirë, më pak solidaritet, më pak humanizëm. Globalizmi dhe materializimi i vlerave ka bërë që njerëzit lidhjet e tyre t’i ndërtojnë vetëm në baza interesi. Me gjithë avancimin e teknologjisë dhe mundësive për të qenë sa më afër njëri tjetrit, shoqëria njerëzore është ndarë më shumë se kurrë më parë. Në këtë kohë dhe në këto sfida, festa vjen edhe si alternativë shoqërore dhe solidare që sfidon këtë zbehje të raporteve dhe që lufton varfërinë. Për këtë është ligjësuar sadakatu-l-fitri në fund të Ramazanit, për të na pastruar nga gabimet eventuale gjatë agjërimit dhe për të gëzuar të varfrit për këtë ditë të madhe që po presim. Pejgamberi a.s. e obligoi sadakatu-l-fitrin si pastrim të agjëruesit nga fjalët e këqija dhe si ndihmë për të nevojshmit.
Filozofia dhe mësimet e muajit të Ramazanit duhet të bëhen udhërrëfyese në drejtim të mënjanimit të problemeve tona shoqërore. Siç kemi qenë bashkë në Ramazan dhe siç jemi bashkë nesër në festën e Fitër-Bajramit, duhet të jemi gjithmonë. Fryma unifikuese e Ramazanit duhet të na mbajë gjallë edhe pas tij. Interesimi për tjetrin duhet të jetë vlerë jona edhe pas Ramazanit.
Të nderuar vëllezër e motra!
Më lejoni që, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t’ua urojë festen e Fitër-Bajramit të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët, me lutjen që Allahu të na e ketë pranuar angazhimin tonë shpirtëror e material gjatë Ramazanit si dhe me dëshirën që siguria, paqja, harmonia dhe dashuria të mbretërojnë kudo në mesin tonë.
Urime festa e Fitër – Bajramit!
Myftiu i Republikës së Kosovës,
Naim Tërnava